Vdekja e dyshimtë në Prishtinë, Policia konfirmon rastin: Viktima është 54-vjeçar
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në rrugën ‘Isa Boletini’ në lagjen Dardania në Prishtinë, ku një person ka humbur jetën në rrethana të dyshimta.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët thanë për Sinjalin se viktima është 54-vjeçar, teksa po kryhen ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
“Sot në stacionin policor jugu në Prishtinë, është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një person mashkull, 54 vjeç. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.
Aktualisht policia në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha për Sinjalin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë dalë në vendin e ngjarjes pas thirrjes për ndihmë, ku kanë gjetur trupin e viktimës, vdekjen e të cilit e konstatoi ekipi mjekësor.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, viktima dyshohet se është shtetas i Shqipërisë dhe i njëjti dyshohet të ketë rënë në ashensor.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.