Deputeti gjerman ‘godet’ Escobarin: Nuk vendos xhentëlmeni amerikan për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Deklaratat që i dha në Prishtinë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, se Kosova ka kushte të tjera për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, kanë alarmuar edhe Berlinin.

Deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham, i është kundërpërgjigjur ashpër komenteve të dhëna nga emisari amerikan.

Abraham thotë se Escobar nuk ka pse të përfshihet në këtë çështje, sepse i takon vetëm Këshillit të Evropës të vendosë se kush i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

“Unë isha i irrituar por edhe i befasuar me komentet që dha në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Me aq sa di dhe jam i informuar unë, Kosova nuk po planifikon të bëhet anëtare e Shteteve të Bashkuara. Pra ky xhentëlmen amerikan duhet ta lë Këshillin e Evropës të vendos për rregullat e veta dhe të mos vendos kushte të reja në këtë proces. Natyrisht që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është një pikë e rëndësishme por nuk ndërlidhet fare me këtë proces”, tha ai.

Tutje, deputeti gjerman thotë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte i vetmi kusht i mbetur i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill.

“Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit ishte i vetmi kusht i mbetur për Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, kështu është e shkruar edhe në raportet që ne kemi. Këtu po flas vetëm për Këshillin e Evropës që është një trup i pavarur me rregullat e veta dhe me kushtet e veta që përcakton se kush mund të bëhet vend anëtar”, shton ai.

Lexo edhe:  “Dukej si fundi i botës”- Avokatin Arianit Koci e zë një stuhi e fuqishme në Shqipëri