“Të pret plumbi, mendo mirë për vete dhe familjen” Gruaja në Istog kërcënon përmbaruesin privat i shkoi te shtëpia:
Përmbaruesit privatë gjatë zbatimit të vendimeve, shpesh herë hasin në telashe me qytetarët që janë debitor në procedurë përmbarimore. Ata mund të jenë cak i ofendimeve e kërcënimeve, gjë e cila ua vështirëson atyre kryerjen e detyrës zyrtare.
Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në komunën e Istogut, ku një përmbarues privat është përballur me kërcënime serioze nga një qytetare.
Sinjali mëson se përmbaruesi kishte shkuar në shtëpinë e një personit i cili obligohet të lirojë shtëpinë e cila është pronë e dikujt tjetër. Në pamundësi të kontaktit me personin në fjalë, pasi i njëjti nuk ndodhej aty, ai është takuar me bashkëshorten e tij.
E dyshuara me të marrë informatën se duhet ta lirojnë shtëpinë, ka kërcënuar përmbaruesin privat duke i thënë që të mos merret me atë punë, për shkak se e pret plumbi. 48-vjeçarja ka kërkuar nga viktima që të mendojë mirë për veten e tij dhe për familjen.
Përballë kësaj situate, përmbaruesi privat ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarën.
Me urdhër të prokurorit, 48-vjeçarja është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.