Rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga Malisheva, flet kryeprokurori – së shpejti kërkesa për paraburgim

Rasti i dhunimit të 13-vjeçares nga Malisheva, e cila u gjet në në një fshat të Drenasit bashkë me dy të dyshuarit disa orë pasi u raportua e zhdukur, po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Pejë. Dy të dyshuarit tashëm ndodhen nën masën e ndalimit policor dhe së shpejti pritet të ushtrohet edhe kërkesa për masën e sigurisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali raportoi të hënën për këtë rast të trishtë që dyshohet se ndodhi mbrëmjen e 10 marsit, pasi vajza u zhduk dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj.

Denoncimi i rastit aktivizoi Policinë dhe si rezultat vajza u gjet dhe u kapën personat e dyshuar, identitetin e  të cilëve Sinjali e publikoi ekskluzivisht mbrëmë.

Ndaj Luan Foniqit, 20-vjeçar dhe Dashnim Xhaferit, 37-vjeçar, që u ndaluan për këtë rast do të bëhet kërkesë për masën e paraburgimit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, në një prononcim ëpr Sinjalin tha se kërkesa për paraburgim do të bëhet, ndërsa vajza do të dërgohet për ekzaminim.

Kurmehaj tha se tani për tani nuk ka detaje të tjera, por brenda afatit ligjor do t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme  për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Ndryshe, nga Policia e Rajonit të Gjakovës kanë njoftuar shkurt lidhur me ndalimin e të dyshuarve për veprën penale “Dhunimi”.

“Lidhur me rastin, me 11.03.2024 viktima femër kosovare është gjetur duke qëndruar në një shtëpi me dy të dyshuar meshkuj kosovarë, ku dyshohet se të njëjtit kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor ndërsa dy të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit,  janë dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Për dy javë, në Shqipëri u gjobitën 135 kosovarë, vozitën nga 150 deri në 205 kilometra në orë