BMW-ja e vjedhur në Norvegji gjendet në Skenderaj, pronari thotë se vëllai ia bleu dhe ia solli në Kosovë

Jo rrallëherë veturat e raportuara të vjedhura në shtete të ndryshme gjenden në Kosovë pas bashkëpunimit të autoriteteve. Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në Skenderaj, ku Policia e Kosovës ka gjetur një veturë që ishte në kërkim ndërkombëtar.

Siç mëson Sinjali, Policia është njoftuar përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) dhe menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Sipas informacioneve të para, autoritetet në Norvegji e kanë futur në kërkim ndërkombëtar një automjet të tipit BMW që dyshohet se ishte vjedhur.

Zyrtarët policorë kanë arritur ta lokalizojnë vendndodhjen dhe e kanë gjetur veturën në Skenderaj, që më pas është sekuestruar për procedura të mëtejshme.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pronari i veturës ka deklaruar se vetura është blerë në Norvegji nga një vëllai i tij dhe është sjellë në Kosovë.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, I cili ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme.

Lexo edhe:  Më i kërkuari në Europë, kush është trafikanti shqiptar që ka ngritur në këmbë policinë evropiane