Avokati i Isni Kilajt, Edwards: Qeveria po ua kthen shpinën veteranëve në Hagë

Avokati i Isni Kilajt, Iain Edwards, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë, ua ka kthyer shpinën ish-krerëve e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët prej një kohe janë në paraburgim në Hagë. 

Pakënaqësitë e Edwards ndërlidhen me udhëzimin e ri administrativ të ministrisë, i cili ka ulur drastikisht pagesat për avokatët e angazhuar në Speciale.

“Ajo përkrahje tashmë është zhdukur. Ministria e Drejtësisë tani qartazi nuk përkujdeset për këta veteranë të cilët janë në paraburgim në Hagë. Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme që t’i mbështesë ata,” tha Edwards.

Për rastin e Kilajt, avokatit Edwards i janë ofruar vetëm një mijë euro pagesë.

“Për mua nuk do të ishte problem që të punoja për një mijë euro në muaj. Mirëpo problemi është që unë kam nevojë që të ndërtoj një ekip, duhet të krijoj një sistem, duhet të angazhoj hetues, duhet të angazhoj juristë të tjerë me të cilët duhet të bashkëpunoj. Kështu që një mijë euro në muaj është shokuese, është e turpshme. Unë do t’i bëja thirrje ministrisë së drejtësisë që të tërhiqet nga ky vendim i padrejtë dhe ta rikthejë skemën e vjetër,” shtoi ai.

“Për vepra penale të ngjashme, e kemi parë që Gucati dhe Haradinaj janë dënuar me më shumë se katër vite burgim. Aktakuzat kundër administrimit të drejtësisë nuk janë rastet më serioze të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mirëpo prapë se prapë të vështira, komplekse dhe raste serioze. Nuk mund ta pranoj këtë arsyetim të qeverisë. Qeveria po ua kthen shpinën këtyre veteranëve,” u shpreh avokati i Isni Kilaj.

Ministria ka sqaruar se lartësia e pagesave përcaktohet nga disa rrethana, si natyra e akuzave, pozita e pretenduar e të dyshuarit ose të akuzuarit në hierarkinë politike ose ushtarake, si dhe numri i dëshmitarëve.

Lexo edhe:  Sami Lushtaku i reagon Ministrit Sveçla pas shkarkimit të Fadil Kodrës