Zbulohet emri i personit që u kap nga NjRSh me mbi 10 qese me drogë në Veternik – ndalohet për 48 orë
Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës një person, dje në Veternik, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari është kapur me një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë dhe një mjet të rrezikshëm.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Amir Jasharin, 22-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Jashari është kapur pas mesnate, pasi një Njësi e Reagimit të Shpejtë po patrullonte në atë zonë dhe ndali për kontroll veturën në të cilën ndodhej i dyshuari.
Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar mbi 10 qese me marihuanë, si dhe një boks hekuri.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëe, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.