“Budallë me letra, e smutë…” – 30-vjeçarja në Gjakovë e denoncon bashkëshortin e saj për dhunë psikike

Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të tilla, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje edhe një grua në Gjakovë, e cila ka denoncuar bashkëshortin e saj.

Burimet e Sinjalit njoftojnë se 30-vjeçarja është ankuar se bashkëshorti i saj në mënyrë të vazhdueshme e ofendon në mënyra të ndryshme, duke i thënë se është e sëmurë mendërisht.

Bazuar në dëshminë e saj, e gjithë kjo ndodh për motive xhelozie dhe e njëjta ka kërkuar që të pajiset me urdhër të mbrojtjes.

Njësitë policore kanë nisur hetimet për të lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit, pasi i njëjti është në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  Vazhdon trendi i parave false, zbulohet edhe një rast në Gjilan