Bankat e nisin fuqishëm vitin 2024, fitojnë 16 milionë euro në janar
Bankat në Kosovë vetëm gjatë muajit janar të këtij viti kanë arritur të fitojnë plotë 16 milionë euro.
Sipas “Sistemit Financiar mujorë- janar2024” të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës, gjatë kësaj periudhe kohore bankat kanë arritur t’i inkasojnë 39.9 milionë euro, prej të cilave 31 milionë euro janë inkasuar në emër të interesit.
Fitimi i bankave është arritur kryesisht nga interesi i kredive të lëshuara.
Deri në fund të muajit janar 2024 janë lëshuar 4 miliardë e 893.9 milionë euro kredi, që përbën një rritje prej 12.9 për qind.
Norma mesatare e interesit është raportuar të ketë qenë 6.4 për qind.
Kosovarët mirë kanë qëndruar edhe me kursime gjatë kësaj periudhe.
Sipas raportit, deri në fund të muajit janar në bankat kosovare janë depozituar 6 miliardë euro, që përbën një rritje prej 8 për qind.