Rrëfimi i të riut nga Vushtrria që pretendon se u rrah nga disa policë

Brenda dhomave të stacionit të policisë në Vushtrri, Artan Hasani pretendon se u rrah nga disa policë.

Në një rrëfim për KALLXO.com ai ka ndarë me publikun ngjarjen e cila tashmë zyrtarisht po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës.

I riu pretendon se më 22.02.2024, është goditur me boks në ftyrë dhe në barkun e tij ndërsa prezenca e tij në stacion nuk ishte për ndonjë aktivitet kriminal por për një aksident trafiku.

Disa minuta para ngjarjes, Artan Hasani ishte aksidentuar me një veturë që e drejtonte një vajzë.

Sipas Hasanit, problemet nisën në vendin e ngjarjes kur vajza i dha telefonin njërit prej policëve për të folur me dikë.

“Unë e kam njoftu policinë, në momentin kur ka ardh policia na i kanë kërku dokumentet, ajo vajza e ka nxjerrë telefonin me një familjar apo nuk e di me kë ka bisedu dhe ja ka dhënë telefonin zyrtarit policor, atë çka e kam ndëgju është që ka thënë kryhet kjo punë shpejtë tash, s’koka bo kurrgjë. Polici që folke me familjarën e asaj vajzës”- rrëfen Artani për KALLXO.com, intervistë kjo e realizuar më 23.02.2024.

Sipas tij, çështja e aksidentit dhe fotografimi i vendit të ngjarjes ka zgjatur diku rreth 10 minuta e më pas janë drejtuar për në stacionin policor në Vushtrri për procedura të mëtejme.

“Kemi shku në stacion policor kam qenë me makinën time, aty ka dalë polici S…J… dhe ka thënë hajde te shohim dëmin që tu ka bë në makinë. U afru dhe tha se s’koka bo kurrgjë mu ka drejtu a e ki raportin evropian të aksidentit, unë i kam thënë nuk e kam dhe nuk e di çka është”- tregon tutje Artani.

Më vonë sipas tij, e ka marrë vesh edhe se për çka duhet të plotësohet raporti i aksidenteve deri sa shton se nuk i kishte ndihmuar askush apo treguar se në cilat situata duhet të plotësohen të dhënat që kërkohen në atë raport.

“Aty kanë qenë 5-6 policë para stacionit policor e ka nxjerrë nga një makinë private dhe m’u ka drejtu hajde me plotësu raportin europian të aksidenteve, unë i kam thënë që nuk është i jemi dhe nuk di me plotësu as nuk mu ka ofru ndihmë që si duhet me u plotësu, qeky zyrtari S…. J….. kur u afru më ka kap për jakne, kjo ka ndodh sa kemi qenë në parking”- shton ai.

Lexo edhe:  Rrëzohet avioni stërvitor ushtarak turk, vdesin dy ushtarë

Tutje sipas pretendimeve të Artan Hasanit, në koridor të stacionit policor i është thënë nga një zyrtar policor se “ti po na tregon qysh me i ba punët tona!”.

“Kur kemi mbërri në hyrje të korridorit më ka kap me dorë në krah dhe kemi vazhdu, kur jemi afru te zyra e ka çelë zyrën më ka fut brenda u hy edhe një zyrtar tjetër policor edhe ai i ri. Ky S…. J….. fillimisht më ka kthy kah vetja dhe më ka godit me grusht në tokë, jam rrëzu, i njëjti ka vazhdu më ka godit 5-6 herë në bark dhe brinj. Polici tjetër që ka qenë edhe ai më ka godit në kokë dhe në pjesën e shpinës”- shpjegon momentet brenda zyrës në të cilën ishte ftuar Artani nga policët.

Përgjatë 10 minutave, Artani pretendon se u rrah e u ofendua.

Ai e mori këtë që nuk dojsha me plotësu raportin evropian të aksidenteve edhe mendoj që aty ka lind konflikti dhe besoj që zyrtari policor ka pasur lidhje familjare me vajzën që e ka bo aksidentin dhe thjesht dojshin me mbyll si rast”- thotë ai.

Tutje më pas kur i ishte kërkuar Artan Hasanit që të jepte deklaratë nuk kishte pranuar nën arsyetimin siç thotë se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.

“S’kam pranu sepse kam qenë i rrahun, i torturuar i frikësuar. Kanë dalë këta dy zyrtarë nga zyra dhe kanë ardhur dy të tjerë, më kanë thonë që ke me plotësu një deklaratë për sulm ndaj personit zytar as atë nuk kam pranuar me dhonë”- thotë ai.

Ai mohon të ketë sulmuar ndonjërin nga zyrtarët policorë.

Jo, as nuk e kom goditë as nuk e kam sulmu. Nuk e di cili ka qenë arsyeja. Kam qëndru 30 minuta aty në zyre dhe më pas ju kam thanë ja më lironi ja nuk po mundem ma me qëndru këtu, ka ardh polici më ka marrë. Pastaj kam shku në emergjencë, i kam lajmëru familajrtë kam marrë ndihmë mjekësore mu kanë kry ekzaminimet dhe gjatë asaj kohe e kom lajmru inspektoratin e policisë”- tregon tutje Artan Hasani.

Hasani tregon edhe se ekzaminimet mjekësore i ka në stacion policor dhe në Inspektorat Policor të Kosovës.

“Kam dhimbje në pjesën e brinjve ku më ka godit zyrtari policor me gju dhe kam kohë pas kohe marramendje nga goditjet në kokë”-rrëfen ai.

Lexo edhe:  Një vajzë rrihet nga babai e vëllai Ditën e Bajramit, të dyshuarit arrestohen Një vajzë rrihet nga babai e vëllai Ditën e Bajramit, të dyshuarit arrestohen Një vajzë rrihet nga babai e vëllai Ditën e Bajramit, të dyshuarit arrestohen Një vajzë rrihet nga babai e vëllai Ditën e Bajramit, të dyshuarit arrestohen

Sipas tij, gjatë kohës sa ka qenë në emergjencë për trajtim mjekësor ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

“Ai (Hetuesi i IPK-së)  ka ardhur gati në përfundim të ekzaminimeve. Kemi shku më pas në stacion policor dhe kemi fillu e kemi plotësu deklaratën dhe e kam tregu krejt rastin qysh ka ndodhur”- shton Hasani.

Madje Hasani përmend edhe se gjatë kohës sa po intervistohej për rastin që kishte raportuar kishte parë në zyrë edhe zyrtarin policor për të cilin pretendon se nga i njëjti ishte rrahur.

“Vazhdimisht kur kam qenë duke dhënë deklaratën në stacion policor për IPK ai polici S….J…. ka hy dy tri herë në zyrë dhe i kam treguar këtij të IPK që ky është ai që më ka goditë fillimisht, në rregull më ka thënë që është e kaq”- thotë ai deri sa shton se nuk ka pasur më as komunikim me të pas ngjarjes.

Artan Hasani thotë se zyrtarët policorë nuk i ka njohur më parë dhe nuk ka pasur asnjëherë ndonjë problem me ta.

Unë policët nuk i kam njoft, sulm ndaj personit zyrtar ka ardhur pas rrahjes që e kam pësu, kur kanë kërku ata me dhanë deklaratë unë skam pranu. Momentin që kam shku në spital e kom njoftu IPK”- thotë ai.

Sipas tij, një zyrtar tjetër policor i ka thënë se Artani ka sulmuar një polic.

“Një nga zyrtarët policor më ka thanë aty që e ke sulmu e ke shty policin me dur unë i kam thanq ë nuk e kam sulmu. Mbramë kur ka ndodh rasti zyrtari i hetimeve më ka thanë që në stacion ka kamera kujdes me deklaratën që po e jep dhe unë i kam thënë që vec të vërtetën e them kaq ka ndodhë”- thotë Artani deri sa ende nuk e ka të sqaruar mirë situatën se pse kishte ndodhur e gjithë kjo.

Lexo edhe:  Nesër i jepet lamtumira e fundit aktivistit Agim Vatovci

Artani pretendon se ishte liruar në procedurë të rregullt nga policia dhe aty kishte shfrytëzuar edhe mundësinë që të kërkonte tretmanin mjekësor.

Në raportin ditor të Policisë së Kosovës të datës 23.02.2024, thuhet se i dyshuari është arrestuar për shkak se i njëjti deri sa ishte në stacion lidhur me një aksident trafiku ka sulmuar zyrtarin policor.

“I dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”- thuhet në raportin e policisë.
KALLXO.com ka tentuar të marrë version nga policët për të cilët pretendohet se kanë qenë të përfshirë në këtë rast mirëpo nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, është dhënë vetëm versioni zyrtar.“Janë dy çështje është ajo e aksidentit dhe e sulmit ndaj personit zyrtar, të dy rastet janë në trajtim. Kjo e sulmit ndaj personit zyrtar është tashmë në IPK dhe ata janë duke u marrë me rastin”- ka thënë Avni Zahiti.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilët tashmë kanë nisur ta trajtojnë rastin.

Në një përgjigje për KALLXO.com të datës 23.02.2024, IPK ka thënë se rastin e kanë pranuar më 22.02.2024, pas orës 17:00.

“Pas pranimit të informacioneve të para hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur rastit dhe kanë kontaktuar me ankuesin i cili ndodhej në emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë”- thuhet në përgjigje.

Tutje, IPK thotë se janë siguruar edhe deklarata e viktimës por edhe raportet policore lidhur me këtë rast.

“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë edhe disa veprime hetimore  duke përfshirë edhe sigurimin e disa pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe të gjitha këto i janë përcjellë Prokurorisë së Shtetit. Rasti është në fazën e hetimit preliminar përderisa pritet që hetuesit konform autorizimeve ligjore dhe koordinimit me prokurorinë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore”- thotë në fund IPK.