Kërcet grushti në Dajkoc të Kamenicës, një person sulmon fizikisht imamin e xhamisë së fshatit

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpeshherë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.

Një konflikt ka ndodhur së fundi edhe në fshatin Dajkoc të Kamenicës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht imamin e xhamisë së fshatit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si pasojë e sulmit, imami Driton Krasniqi, ka pësuar lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.

Ndërkohë lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, e gjithë ngjarja ka ndodhur para një shitoreje në fshatin Dajkoc, ku imami Krasniqi kishte shkuar që të bisedojë për disa dyshime që kishte për vjedhjen e disa druve në oborrin e tij.

27-vjeçari dyshohet se nuk e ka pritur mirë imamin dhe të njëjtin e ka sulmuar fizikisht duke e grushtuar, e më pas dyshohet se e ka goditur edhe me një bisht sëpate.

Pos viktimës, lëndime trupore ka marrë edhe i dyshuari dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti pas një zënke verbale e kishte sulmuar viktimën mashkull kosovar. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Këshillin e Bashkësisë Islame në Kamenicë, të cilët thanë se po merren me rastin, por mohuan të ketë pasur përleshje fizike.

Lexo edhe:  Agim Ademit i dështon karta e trajnerit spanjoll, ja kë e zgjedh Moreno

“Kemi informacione. Jemi duke u marrë me rastin. Kurgjo, një kërcënim verbal. Ka ndodh diçka verbalisht, mosmarrëveshje. Nuk e besoj që ka pasë konfrontim fizik, po jemi duke u marrë me rastin, por po besoj që është ma shumë verbal. Sapo u informum për rastin, para gjysmë ore”, thanë nga Këshilli i BIK-ut në Kamenicë për Sinjalin.