Nëna në Gjakovë çon djalin në Polici, thotë se po e rrah nusen e tij
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është raportuar mbrëmë në fshatin Damjan të Gjakovës, pasi një grua denoncoi në Polici djalin e saj, e për të cilin tha se po ushtron dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se është marrë edhe dëshmia e 28-vjeçares, e cila ka mbështetur denoncimin e vjehrrës, duke thënë se bashkëshorti ushtron dhunë psikike dhe fizike.
Si rezultat i denoncimit, 33-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.