Kosovari plagos veten aksidentalisht, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. Për pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjerë, apo duke plagosur veten aksidentalisht, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka plagosur veten aksidentalisht me armë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 34-vjeçari ka kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e plagës që ka marrë nga arma e zjarrit.

Ekipi mjekësor kanë intervenuar menjëherë dhe pas ekzaminimeve është konstatuar se i riu ka pësuar lëndime të rënda, mirëpo i njëjti ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

34-vjeçari është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm nën përkujdesjen e mjekëve, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Për shkak të gjendje së të dyshuarit dhe meqë i njëjti ishte nën ndikim të alkoolit, ka qenë e pamundur të merret dëshmia e tij lidhur me rastin.

Ndërkohë është intervistuar një person i cili ndodhej me të dyshuarin në momentin kritik.

Në cilësinë e provave materiale është sekuestruar arma që dyshohet se u përdor në rast bashkë me karikator dhe fishekët, si dhe një gëzhojë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Lexo edhe:  Një burrë nga Bosnja u nis në këmbë për në haxh: Aktualisht jam në Turqi dhe agjëroj çdo ditë