Kryefamiljari në Drenas rrah bashkëshorten dhe djalin e mitur, intervenon Policia

Telashet familjare janë të shpeshta, ku anëtarët përleshen mes vete apo pësojnë nga kryefamiljari. E këto zënka shpesh herë kalojnë edhe muret e shtëpisë, duke u nevojitur kështu ndërhyrja e Policisë së Kosovës për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë pas mesnate edhe pjesëtarët e një familjeje në fshatin Baicë të Drenasit, pasi kryefamiljari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të mitur.

Sinjali mëson se 14-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se pas një konflikti me babanë e tij, i njëjti e ka sulmuar fizikisht dhe më pas ia ka rrahur edhe nënën.

Viktimat kanë dhënë dëshminë e tyre para organeve të hetuesisë dhe ndërkohë kanë pranuar edhe tretman mjekësor shkaku i lëndimeve që morën si pasojë e dhunës.

44-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Mbi 60 mijë persona e lëshuan Kosovën, ekspertët e ekonomisë: Po ikin edhe të punësuarit