Policia gjen armë e municion te një shtëpi në Malishevë, pronari thotë se i ka “kujtim nga vëllai i ndjerë”

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Shpeshherë kryhen edhe bastisje në shtëpi, banesa e lokale të ndryshime, me qëllim kapjen e personave që mbajnë pa autorizim armë.

Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Damanek të Malishevës, ku Policia ka kontrolluar një shtëpi, në të cilën u gjetën armë, fishekë e gëzhoja.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se lidhur me rastin është intervistuar pronari, i cili ka deklaruar para zyrtarëve policorë se armën e mban si kujtim nga vëllai i tij.

Posedimi i armës i ka kushtuar të dyshuarit me shoqërim në stacion policor, teksa revolja dhe municioni që u gjetën janë sekuestruar.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Gazetarët para Qeverisë, pajisjet i lënë në tokë në shenjë solidarizimi me Klan Kosovën