Harroi ku e parkoi veturën, gjilanasi raporton në Polici se ia vodhën hajnat
Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është denoncuar të ketë ndodhur mbrëmë në Gjilan, për çka Policia inicioi rast, por doli të mos jetë vjedhje.
Sinjali mëson se pronari i veturës fillimisht ka raportuar se nuk e ka gjetur automjetin në rrugën ku e kishte parkuar dhe kërkoi ndihmë nga Policia.
Por, pas disa orësh ai u paraqit sërish në stacion, me ç’rast u zbulua se nuk ka të bëjë me vjedhje, pasi i njëjti e kishte harruar vendin ku e ka parkuar veturën.
Veturën e tij, gjilanasi e gjeti dhe si rezultat rasti është mbyllur.