Lajm i mirë: Grumbullohen të gjitha paratë për operimin e Nina Dragushës në Turqi pas diagnostikimit me tumor
Familja e Nina Dragushës, vogëlushes e cila u diagnostikua me tumor dhe kishte nevojë për operim në Turqi, ka bërë të ditur se janë mbledhur të gjitha paratë për ta kryer operimin.
Dy ditë më parë, prindi i Ninës, Leutrimi shkroi se bija e tyre është diagnostikuar me tumor të llojit “NEUROBLASTOMA” në abdomen, ku për shërimin e saj shpenzimet kushtojnë deri në 144.000 Euro.
E i njëjti, tani ka shkruar se janë grumbulluar të gjitha paratë që kapin koston e operimit, dhe për më tepër kjo vlerë ka kaluar madje shifrën e kërkuar, për të cilën ka falenderuar secilin.
Ai ka bërë me dije se nga tani do të fillojë rrugëtimi disa mujorë për shërimin e Ninës në Turqi, teksa ka shtuar se do të njoftojë publikun për fazat e trajtimit në të cilën Nina do të kalojë gjatë kësaj periudhe.
Postimi i plotë:
Përshëndetje të gjithëve,
Ju falenderojmë të gjithëve për ndihmën që e keni dhënë për shërimin e Ninës dhe ju njoftoj që shuma e kërkuar është grumbulluar dhe për korrektësi e ka kaluar vlerën, si Shqiptar human që jemi, kemi marr ndihma nga të gjitha anët e botës e i madhi Allah ju shpërbleft juve sepse e keni nda buxhetin e familjes tuaj për me e rikthy buzëqeshjen e vajzës në familjen tonë.
Nga tani do filloj rrugëtimi disa mujor për shërimin e Ninës në Turqi dhe do ju njoftojme per fazat e trajtimit qe i kalon
Ju perqafon Nina