Këta janë dy vëllezërit e dyshuar për ngacmimin seksual ndaj dy kushërirave të mitura në Istog

Mbrëmë u raportuar për një rast të ngacmimit seksual në fshatin Serbobran të komunës së Istogut, ku viktima janë dy vajza të mitura, të moshave 12 dhe 15-vjeçare. Dy kushërinjtë e tyre dyshohet se kanë tentuar t’i mashtrojnë ato dhe në këmbim të parave t’i fusin në një veturë me persona të panjohur. Njëri nga vëllezërit është arrestuar, ndërsa tjetri ende ndodhet në arrati.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se të dyshuar janë dy vëllezërit Ajet dhe Kastriot Bajraj.

Ajeti është arrestuar ditën që ka ndodhur rasti dhe i njëjti ka deklaruar para hetuesve policorë se nuk ka qenë në dijeni për planin e të vëllait. Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të lokalizuar Kastriotin.

Si dyshohet se ndodhi rasti?

Sinjali mëson se vajzat po ktheheshin nga dyqani për në shtëpi, kur janë përballur me një kushëri të tyre, i cili kishte tentuar t’i mashtrojë dhe t’i fus në veturë. Sipas dëshmisë së dhënë në Polici, në veturë ndodheshin edhe tre persona tjerë të rritur, ku njëri ndër ta ishte vëllai i të dyshuarit të parë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se 23-vjeçari që tentoi t’i mashtrojë të miturat, ka kërkuar nga dy personat tjerë që ndodheshin brenda veturës që t’ia japin paratë për dy vajzat.

Përballë kësaj situate, vajzat të frikësuara dhe të shqetësuara kanë arritur që të ikin që aty dhe të shkojnë në shtëpinë e tyre, ku u kanë treguar prindërve se çfarë ka ndodhur.

Bashkë me prindërit, ato kanë shkuar në stacion policor për të denoncuar rastin, me ç’rast Policia menjëherë është vënë në lëvizje ku kanë arritur që të arrestojnë njërin nga të dyshuarit.

Lexo edhe:  “Duhet me iu q* robtë kallash” – E publikoi videon në TikTok ku kërcënoi policët, ky është i riu i arrestuar

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka kërkuar që të dyshuarit Ajet Bajraj t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të vazhdojnë hetimet për kapjen e të dyshuarit tjetër.

Që të dy vëllezërit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.