Hajnat thyejnë një vilë në Makresh të Novobërdës, vjedhin armë, municion e gjësende tjera me vlerë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një vilë në fshatin Makresh i Epërm në Novobërdë, ku persona ende të paidentifikuar kanë depërtuar brenda objektit dhe kanë vjedhur gjësende me vlerë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se të dyshuarit kanë hyrë brenda me forcë dhe kanë vjedhur armë zjarri me leje, fishekë, pije alkoolike me vlerë e gjëra tjera.

Si rezultat i raportimit, njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.

Lexo edhe:  Ushtrisë së Kosovës i shtohen edhe 311 rekrutë, grupi më i madh ndonjëherë