Nga “therja me thikë” te “goditja me shkop” – versionet e ndryshme të Policisë dhe Prokurorisë për rastin tragjik

Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin.

I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht

Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë.

Për rastin, atë ditë, kishte dhënë detaje Policia. Sipas raportit viktima ishte therur me thikë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, zbulonte raporti.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë atë ditë?

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar).

Lexo edhe:  Apeli kthen në rigjykim rastin e Lavdim Krasniqit dhe të tjerëve

Se të miturit e goditën me shkop 18 vjeçarin e konfirmoi edhe video e cila u publikua dje.

Aty shihet se si dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen fillimisht e godasin me veturë dhe më pas e rrahin me shkop të riun nga Podujeva i cili u varros dje