Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj bëhen sërish bashkë në një koalicion parazgjedhor
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj pritet të nënshkruajnë sot koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme nacionale.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, koalicioni do të quhet “Fronti për Kosovën” dhe pritet të zyrtarizohet sot.
Dy krerët e partive gjatë ditës pritet të dalin në një konferencë për media për të kumtuar lajmin për bashkimin e tyre në një koalicion parazgjedhor.
AAK dhe Nisma kishin qenë në koalicion bashkë dhe në bashkëqeverisje edhe para disa viteve.
Bëhet fjalë për vitin 2017 deri në vitin 2019, kur Haradianj ishte kryeministër e Limaj zëvendës i tij.
Ndërkaq në zgjedhjet që pasuan, po në vitin 2019, Nisma që në atë kohë ishte në koalicion me AKR-në nuk arriti ta kalojë pragun duke mbetur kështu jashtë Kuvendit.
Pak javë e ndajnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hyjë në vitin e katërt të mandatit qeverisës, ndërkohë që partitë opozitare vazhdimisht kanë qenë të zëshme duke kërkuar disa zgjedhje të paraakohshme e dorëheqje të kryeministrit Kurti.
14 shkurti, 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.
Një parti politike, arriti të marrë mbi 50% të votave. Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar.