Hëngri e piu, por faturën s’deshi ta paguajë – ky është irakiani që i bëri telashe stafin e ‘HIB-it’

Punonjësit nëpër lokalet e ndryshme të gastronomisë, shpeshherë përballen me persona të cilët u shkaktojnë telashe, duke tentuar të ikin pa paguar shërbimet të cilat i marrin. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në restorantin e ‘HIB Petrol’ në Graçanicë, ka rënë në prangat e Policisë një shtetas irakian.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Simlmo Samml, 33-vjeçar nga Iraku.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i riu irakian kishte shkuar si klient në restorant, ku kishte porositur pije alkoolike, joalkoolike e ushqim, në vlerë të mbi 50 eurove. Por në momentin e pagesës së faturës, punëtorët e lokalit kanë hasur në telashe me të dyshuarin, pasi i njëjti ka refuzuar që të paguajë gjërat që konsumoi.

Njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor dhe i është nënshtruar testit për alkool, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e shërbimeve’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  ‘O ruju, ruju’, momenti kur vetura humb kontrollin dhe godet për vdekje 3 të rinjtë - dëgjohet goditja dhe bërtimat