“Nuk i pritoj belasë, ta deshi uniformën”: Sulmohet dhe kërcënohet një polic në Kaçanik

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës.

Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur së fundmi në fshatin Doganaj në Kaçanik, ku një zyrtar policor është sulmuar dhe kërcënuar nga një 38-vjeçar.

Siç mëson Sinjali, i dyshuari është kapur me zyrtarin policor (emër i njohur për redaksinë), pas një mosmarrëveshje lidhur me veturën që dyshohet se e kishte parkuar para lokalit të tij.

Në shenjë revolte, i dyshuari e kishte shtyrë policin dhe më pas e ka kanosur seriozisht, duke i thënë se “nuk i pritoj belasë, ta deshi uniformën…”, thonë të njëjtat burime.

Përballë kësaj situate, zyrtari policor e ka raportuar rastin dhe ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale “Sulm”.

Lexo edhe:  Arrestohet një person për dhunim në Klinë