Dyshohet se në lokalin e tij organizoheshin lojëra fati, ky është 42-vjeçari që u arrestua në Skenderaj

Mëngjesin e sotëm u raportua për një aksion të Policisë në një lokal në Skenderaj, ku gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar mjete që shërbejnë për lojëra fati. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit, i cili tashmë ndodhet nën ndalim policor.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Isa Aliqkaj, 42-vjeçar.

Sipas njoftimit të Policisë, në lokalin e Aliqkajt janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si tre televizor për shërbime të basteve, katër monitor, katër shtëpiza, 8 topa letër  për printime,  tre tastiera , 20 tiketa, një libër i basteve dhe një sasi e parave të gatshme.

Me urdhër të prokurorit, ndaj 42-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.

Kujtojmë se Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të vitit 2019.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të po atij viti.

Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u vranë dy persona.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata

Lexo edhe:  Lajm i mirë: Qytetarëve të dëbuar nga puna do t’u njihen vitet 90-ta si kontribut në skemat pensionale