Vetëplagoset me armë zjarri një 21-vjeçar në Kaçanik, dërgohet me urgjencë në QKUK
Mbajtja dhe përdorimi i armëve pa autorizim është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë, që jo rrallëherë ka përfunduar me vetëplagosje, plagosje por edhe tragjikisht.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Kaçanik, ku një person ka pësuar lëndime pasi dyshohet se është vetëplagosur, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Koosvës përmes një komunikate për media, ku bëhet e ditur se viktima është 21-vjeçar dhe i njëjti ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
“Stacioni i policisë në Kaçanik rreth orës 02:00 nga Shtëpia e Shëndetit në Kaçanik ka pranuar një informatë, se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore nga lëndimet që kishte pësuar nga arma e zjarrit, i cili më pas ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa për tretman të mëtutjeshëm mjekësor ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.
Njësia e Hetimeve të stacionit në Kaçanik ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet. Nga hetimet e para dyshohet se personi A.B ( M/K) i moshës 21 vjeçar në shtëpinë e tij në rrugën ‘’Mejdi Dalloshi’’ në Kaçanik me armën e zjarrit ( pistoletë ) ishte vetë plagosur”, thuhet në njoftim.
Sipas Policia, është sekuestruar arma e zjarri bashkë me tre fishekë dhe gëzhojën që u gjet në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.