I mituri ther me thikë shokun e tij në Hajvali, 15-vjeçari dërgohet në spital
Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Hajvali të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka therur me thikë shokun e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë njoftuar se 15-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore, si pasojë e plagës që kishte marrë nga goditja me mjet të mprehtë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës, i cili ka pohuar se i dyshuar për këtë rast është shoku i tij bashkëmoshatar.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i mituri të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.