Suspendohet sërish polici ‘problematik’, i dehur dyshohet se kërcënoi tre persona dhe ekspozoi armën

Pjesëtarët e Policisë të cilët janë të thirrur për të ofruar rend dhe siguri dhe e kanë detyrim denoncimin  e rasteve të ndryshme, kurdo dhe kudo që ata janë prezentë, jo rrallëherë futen edhe vet në telashe.

Njëri ndër policët që njihet si ‘problematik’ është suspenduar sërish nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Kush është polici i dyshuar që nuk e ka sefte suspendimin, pasi edhe para gjashtë muajsh ka qenë objekt hetimi nga IPK?

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për policin Bilall Guraziu, ndaj të cilit tashmë kanë nisur hetimet nga IPK, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Sipas informacioneve që ka Gazeta Sinjali, polici Guraziu, derisa ishte jashtë detyrës zyrtare, ka shkaktuar telashe në një kafeteri në Prizren, ku dyshohet se i ka kërcënuar tre persona, për motive akoma të panjohura.

Guraziu, i cili siç duket është merakli i alkoolit, edhe këtë herë ka qenë në gjendje të dehur, në momentin që është përfshirë në konfliktin, që eskaloi në kanosje.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Guraziu dyshohet se edhe e ka nxjerrë armën që e kishte në brez, informacione këto që tashmë i posedon IPK-ja dhe pritet të konfirmohen pasi të sigurohen provat e nevojshme.

Polici i dyshuar është intervistuar gjatë ditës së sotme nga hetuesit e IPK-së dhe pas përfundimit të procedurave të nevojshme, është rekomanduar suspendimi i tij për 72 orë.

Lajmin e kanë konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe nga Policia Kufitare.

Kujtojmë se Guraziu edhe në muajin qershor ishte suspenduar, pasi dyshohej se derisa ka qenë i dehur është përfshirë në një përleshje, ku për pasojë i kishte shkaktuar lëndime trupore një gruaje në një lokal.

Lexo edhe:  Pushuesit braktisin plazhin e Himares, kukulla pret në breg 7-vjeçaren e vrarë nga polici

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.