Gëzim në familjen e dëshmorit Skënder Rexhepi, fejohet djali i tij
Në familjen e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skënder Rexhepi – i njohur si komandant Hekuri – ka festë.
Djali i tij, Altini, i ka dhënë fund beqarisë, duke kurorëzuar me fejesë lidhjen e tij me të dashurën.
Në ditën më të lumtur të tyre, çifti i ri ka pozuar për fotografi para portretit të babait të ndjerë, komandant Hekurit.
Skënder Rexhepi si 15-vjeçar ishte anëtarësuar në organizatën e njësuar nga Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Më pas ai është angazhuar për çështjen kombëtare dhe për lirinë e Kosovës, ku iu bashkua edhe UÇK-së.
Pas një beteje kundër pushtuesit serb, Komandant Hekuri ra në altarin e lirisë më 21 janar 1999 në fshatin Fortesë [ish-Bellacerkë].
Në këtë pritë ai luftoi krah më krah me dëshmorin e kombit Fitim Durakun, i cili nga plagët e marra të asaj dite u pavdekësua më 4 prill 1999. Në ballafaqim me pritën e mirëorganizuar të armiqve, plagë të rënda kishin marrë edhe Xhavit Elshani nga Pirana dhe Mustafë Bajraktari nga Polluzha.
Komandant Hekuri ka lënë pas vetes bashkëshorten, Kumrijen, vajzën Agnesën dhe djalin, Altinin.