Tragjedi në Fushë Kosovë: Babai godet për vdekje me veturë fëmijën 1 vjeç e gjysmë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në lagjen 28 në Fushë Kosovë, ku një fëmijë një vjeç e gjysmë ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së tij, ku babai i fëmijës dyshohet se ka goditur me veturë të miturin, duke i shkaktuar atij lëndime të rënda.

Fëmija është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por intervenimi i stafit mjekësor ka qenë i kotë, pasi që mjeku kujdestar ka konstatuar i mituri tashmë kishte ndërruar jetë.

Ndërkohë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku po kryejnë ekzaminimet e nevojshme të cilat çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, teksa rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë