Bastisje në një shtëpi në Viti, 55-vjeçari kapet me armë ilegale e drogë

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë dhe me urdhër të Gjykatës, kanë kryer mbrëmë bastisje në një shtëpi në fshatin Sadovinë e Çerkezëve në Viti.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë bastisjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri bashkë me karikator dhe fishekë. Po ashtu, në cilësinë e provave materiale është sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike.

55-vjeçari i dyshuari është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Lexo edhe:  Futbollisti mitrovicas Arbër Zeneli bëhet baba për herë të parë