Këta janë të dyshuarit që thyen shtëpinë e mërgimtarit në Fushë Kosovë, vodhën gjësende në vlerë të 25 mijë eurove
Ditë më parë u raportua për një rast të vjedhjes në shtëpinë e familjes Gashi në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës, pronari i së cilës jeton dhe vepron jashtë vendit. Të dyshuarit kishin arritur që përmes përdorimit të forcës të depërtojnë brenda shtëpisë dhe kishin vjedhur gjësende me vlerë, duke shkaktuar kështu dëme materiale.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se pas veprimeve hetimore janë identifikuar dy të dyshuarit.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Bekim Krasniqi 48-vjeçar dhe Mirsad Gashi 33-vjeçar.
Krasniqi dhe Gashi janë arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Të dyshuarit gjatë intervistimit kanë pranuar se kanë kryer veprën për të cilën dyshohen, teksa janë gjetur dhe sekuestruar edhe gjësendet e vjedhura.
Po ashtu, sipas burimeve është zbuluar se Krasniqi dhe Gashi kanë qenë të përfshirë edhe në dy raste të tjera të vjedhjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.