Policia e konfirmon: Iu konfiskua edhe një anije e Radojiciqit

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se është konfiskuar një motobarkë në pronësi të Milan Radoiçiqit, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë, ku mbeti i vdekur një polic.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, njoftoi se bastisja u zhvillua në Zveçan.

“Sot gjatë ditës policia ka kryer një bastisje në Zveçan dhe ka konfiskuar një motobarkë (skaf) që dyshohet të jetë pronë e Milan Radoiçiqit, i cili njëherësh është i dyshimtë për involvim në rastin Banjska”, tha Elshani.

Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar Radoiçiqin, bashkë me Zvonko Vesellinoviqin, vëllain e tij, Zharkon dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Ndryshe, sot u raportua se INTERPOL-i ka lëshuar fletarrest për Radoiçiqin, por një gjë e tillë akoma nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Lexo edhe:  Dhunë në një familje në Gjylekar të Vitisë: I riu rrah nënën, gruan dhe motrën, Prokurori e liron