Zbulohen emrat e katër të arrestuarve për fajde në Ferizaj
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës, Departamenti për Krime të Rënda në koordinim me Prokurorinë ka kryer operacion policor në katër lokacione në Ferizaj. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar katër persona të dyshuar për fajde dhe janë sekuestruar disa prova materiale.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë
Rrahim Uksmajli 43-vjeçar
Brahim Uksmajli 32-vjeçar
Sherif Uksmajli 48-vjeçar
Jashar Jashari 57-vjeçar
Tre anëtarët e familjes Uksmajli dhe Jashar Jashari dyshohen se nga viti 2021 deri në 2023, kanë detyruar një person të paguajë para me fajde në vlerë të 164 mijë e 500 euro.
Përmes një komunikate për media, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar armë, telefona e para të gatshme, si dhe shënime tjera që dyshohet se lidhen me veprën penale.
“Gjatë kontrollit në pronat e të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar:
Dy (2) armë (pistoleta)
Katër (4) karikator
Dy (2) pushkë gjuetie
Nëntëdhjetë e pesë (95) fishekë
Pesë (5) telefona mobil
Dy mijë e gjashtëqind (2600.00) euro
Shënime/evidenca, Kontrata dhe Marrëveshje që dyshohen se lidhen me Veprën Penale”, thuhet në njoftim.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Fajde’ dhe ‘Detyrim’ dhe brenda afatit ligjor pritet që ndaj tyre të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.