Këta janë dy të dyshuarit për hedhjen e granatës në Tregun e Kafshëve në Prizren, njëri nga ta ende në arrati

Dhjetë persona përfunduan në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren mëngjesin e djeshëm, si pasojë  e lëndimeve që morën pas shpërthimit të një granate dore në Tregun e Kafshëve. Pesë prej tyre u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa Policia ka identifikuar tre persona të dyshuar. Një nga të dyshuarit është arritur që të arrestohet gjatë ditës së djeshme.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ishte Remzi Murtezi [42-vjeçar] bashkë me Xhevdet Selimin [37-vjeçar], ata që aktivizuan mjetin shpërthyes.

Murtezi është arritur që të arrestohet gjatë ditës së djeshme në komunën e Gjilanit dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Selimit në fshatin Uglarë të Gjilanit, mirëpo i njëjti nuk është hasur aty dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Me urdhër të prokurorit, Murtezi është dërguar në mbajtje, teksa po vazhdojnë kërkimet intensive për lokalizimin e vendndodhjes së Selimit.

Të dyshuarit do të hetohen për veprën penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  Kurti shpreh ngushëllime për tragjedinë në Beograd