Dhunë në oborrin e shkollës ‘Trepça’ në Istog, një nxënës rrah bashkëmoshatarin e tij

Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta. Drejtoritë shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në shkollën fillore të mesme të ulët ‘Trepça’ në fshatin Banjë e Pejës në Istog, ku një nxënës dyshohet se ka sulmuar fizikisht një bashkëmoshatar të tij.

Në pamjet të cilat i ka siguruar Sinjali, shihet momenti i përleshjes, teksa i dyshuari e godet viktimën në praninë edhe të nxënësve të tjerë.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se i dyshuari dhe viktima janë shoqëruar për intervistim në stacion policor. “Sot rreth orës 11:40 Policia është njoftu për një rrahje në oborrin e shkollës fillore ‘Trepça’ në Banjë të Pejës. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shoqëruar të dyshuarin dhe viktimën në stacion policor. Janë intervistuar në prezencën e prindërve, zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit. Me urdhër të prokurorit, rasti është përcjellë në Prokurorinë Themelore me shënim zyrtar, për shkak se të miturit janë nën moshën 14-vjeç dhe nuk kanë përgjegjësi penale”, tha Gashi.

Lexo edhe:  “Duhet me iu q* robtë kallash” – E publikoi videon në TikTok ku kërcënoi policët, ky është i riu i arrestuar