Goditi me grushte drejtorin e bankës në Kukës, arrestohet 41-vjeçari nga Kosova
Një 41-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Kukës pasi ka goditur me grushte drejtorin e një banke atje.
Nga vetura e tij u sekuestruan 16,813 euro, një mjet prerës (kosore), dokumente dhe sende të tjera.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi S. G., me detyrë drejtor i një banke në qytetin e Kukësit, se ishte goditur për shkak të detyrës nga një shtetas, në ambientin e punës, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Office”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. M., 41 vjeç, banues në Prishtinë, i cili dyshohet se ka goditur me grushte shtetasin S. G. dhe më pas është larguar nga banka”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.
Paratë e gjetura nuk kishin dokumentacion për burimin e tyre.
Ndaj tij janë ngritur për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.