Ngacmohet vajza 9-vjeçare në rrjete sociale, dikush i kërkon video të pjesëve intime – babai i saj denoncon rastin

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Për këtë fenomen shqetësues ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta pas ngjarjes që tronditi vendin, dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Edhe pas kësaj ngjarje, 02 Press ka raportuar edhe për disa raste të tjera të ngacmimeve e sulmeve seksuale.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se për një rast të tillë Prokuroria ka nisur hetimet, pas denoncimit të një prindi, i cili ka njoftuar Policinë se vajza e tij 9-vjeçare i është ngacmuar në rrjete sociale.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur para disa muajsh, por është denoncuar në gusht, me ç’rast prindërit e vajzës janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dërguar dëshmi që provojnë ngacmimet e të dyshuarit.

Sipas provave të siguruara nga Policia, i dyshuari e ka ngacmuar vajzën me mesazhe, duke i kërkuar edhe foto e video të pjesëve intime. Gjatë dëshmisë së dhënë në Polici, prindërit kanë deklaruar se si pasojë e kësaj, vajza po trajtohet pasi nuk është në gjendje të mirë emocionale.

Në lidhje me këtë rast, Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Ngacmim”.

Lexo edhe:  Reagon Burim Piraj: Fëmijëve 10€, qenve endacakë 50€, ka kështu o njerëz?