Fillon ndërtimi i një stacioni policor në Zubin Potok, Elshani: Vendimi ishte marrë në vitin 2018
“Kossev” shkruan se sot në mëngjes makineritë të rënda kanë filluar pastrimin e terrenit në afërsi të shkolles fillore “Jovan Cvijiq” në Zubin Potok. Aty do të ndërtohet një stacion i Policisë së Kosovës, gjë që sipas Kossev ka nxitur pakënaqësi të banorëve lokalë.
Veton Elshani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Veri, ka thënë se bëhet fjalë për një vendim të vitit 2018 dhe tani është marrë miratimi për nisjen e punimeve. Elshani ka treguar se deri tani kanë funksionuar në shtëpi private.
“Meqë ishim në shtëpi private, vendimi është marrë në vitin 2018, kemi marrë miratimin që të fillojmë të ndërtojmë tani, përndryshe vendimi është marrë më herët”, ka thënë Elshani.
Ai po ashtu ka konfirmuar se aty fillimisht do të vendosen kontejnerët e policisë.
“Meqenëse stacioni policor aktualisht ndodhet në një shtëpi private, ne duhet të largohemi dhe për këtë po vendosim kontejnerë derisa të ndërtohet ky stacion”, ka thënë Elshani.