Prokuroria nis hetimet për “Lëvizjen për braktisjen vullnetare të fesë islame” të themeluar në Deçan

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet ndaj Lëvizjes për Braktisjen e fesë islame në Deçan, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, i cili tha se është hapur rast për verifikim të asaj se a ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mosdurimit.

“Ne si Prokurori që nga paraqitja publike e këtyre qytetarëve dhe iniciativës së tyre, e kemi monitoruar në vazhdimësi dhe njëkohësisht sot, Prokuroria Themelore e Pejës ka hapur rast, për verifikim të asaj nëse ka elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mos durimit dhe varësisht nga ajo çka mund të rezultojë do të ndërmerren edhe hapat dhe veprimet e mëtutjeshme”, tha Nikçi.

Ndryshe, para disa ditësh në Deçan u mblodhën rreth 70 persona me iniciativë për krijimin e Lëvizjes për Braktisjen e fesë islame.

Ndaj kësaj ka reaguar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët shprehën indinjatën e tyre.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, shpreh indinjatën e thellë lidhur me formimin e të ashtuquajturës “Lëvizje për braktisjen e fesë islame”, meqë siç u pa e u dëgjua, ajo s’ka qëllime të mira për shoqërinë tonë. Aty vërehen elemente përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndër-fetare, si dhe mosdurim fetar dhe njerëzor”, tha BIK.

Lexo edhe:  Nëna Rukë me lot në sy flet për djemtë e saj të rënë për liri: Foli me ta sikur të jenë gjallë, por s’po përgjigjen