I riu në Gjilan kapet në flagrancë me substanca narkotike, shoqërohet në Polici
Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar së fundi në qytetin e Gjilanit, ku një njësi e Policisë që po patrullonte në rrugën ‘Abdullah Tahiri’, ka ndalur për kontroll një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit te 20-vjeçari është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Me urdhër të prokurorit, i riu do të hetohet në liri për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.