Që nga vitet e ’70-ta, ky ishte 20 tetori më i nxehtë në Prishtinë

Erërat jugore që frynë përgjatë rajonit ditën e sotme, kanë ngritur temperaturat edhe në vlera rekorde në disa pjesë.

28 gradë Celsius ishte temperatura e regjistruar sot në aeroportin e Prishtinës, por edhe në stacionin e IHMK-së në Prizren.

Sipas Prishtina Weather, ky 20 tetor edhe ishte më i nxehti në Prishtinë, ngase në shënimet paraprake, nga vitet e ’70-ta nuk ka pasur temperaturë kaq të lartë në këtë ditë.

“Ndërkohë edhe sa i përket periudhës së dhjetëditëshit të dytë, temperaturë prej 28C shfaqet pas gati 30 vitesh. Në dhjetëditëshin e dytë të vitit 1993, regjistrohen temperatura prej 28.7C në stacionin në Prishtinë, në datat 15 e 18 tetor. Temperatura prej 28C, edhe është më e vonshmja që regjistrohet në këtë periudhë tetori në vend. Më 1 tetor të vitit 2012, në aeroportin e Prishtinës regjistrohet temperatura më e lartë prej 31.9C, derisa gati 20 vite më herët në stacionin në Prishtinë, me datë 1 tetor 1991, maksimalja ishte 31.5C. Sa i përket stacionit në Prizren janë dy data në vitin 1973, më 17 e 18, kur temperaturat kanë kapur vlera prej 28C”, thuhet në komunikatën e Prishtina Weather.

Temperatura ekstrem të larta janë regjistruar në shumë pjesë të Shqipërisë. Siç raportohet nga matjet e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, 33 gradë Celsius ishte maksimalja në Tiranë, 32.8 gradë Celsius në Kuçovë. Në Vlorë 31.6 e Durrës 31.4, ndërsa në Kukës 30.8 gradë Celsius.

Lexo edhe:  Shoferi harron se ku e ka parkuar veturën, e denoncon rastin në Polici për vjedhje