Polici në Skenderaj kërcënohet nga një shofer pasi e dënoi për shkelje në trafik, mësoni si reagoi ai

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Shkak për këtë në shumë raste janë pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave në komunikacion.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në fshatin Klinë e Epërme të Skenderajt, ku është arrestuar një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari, E.S., është ndaluar fillimisht për shkak se i njëjti kishte thyer rregullat në trafik, për çka Policia i shqiptoi gjobë për kundërvajtje.

Dënimi që mori e mllefosi të dyshuarin, i cili në shenjë pakënaqësie e ka kërcënuar një zyrtar policor, e madje edhe e ka fyer.

Përballë kësaj situate, njësia policore e ka arrestuar dhe shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë, Golfi bëhet "kërrsh" pasi përplaset me kamionin