E mitura u dhunua nga pesë meshkuj, prokuroria nis hetimet
Ditën e djeshme, një vajzë e mitur në Prishtinë është dhunuar seksualisht nga pesë meshkuj. Për këtë rast tashmë Prokuroria ka nisur hetimet.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj,
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka thënë Ulaj.
Tutje ajo ka thënë se ndaj rastit në fjalë janë ndërmarrë të gjitha veprimet, por për momentin nuk mund të japin asnjë detaj.
“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka treguar tutje Ulaj.
Ndryshe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar.