Arrestohet pronari i lokalit “Apetit” në Malishevë ku u helmuan 63 persona, një 6-vjeçar në gjendje të rëndë
Komuna e Malishevës u trondit mbrëmjen e 13 tetorit pasi u helmuan 63 persona nga ushqimi në një “fast food”. Personat e helmuar janë udhëzuar për QKUK në Prishtinë dhe disa për në spitalin e Prizrenit.
Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar për Sinjalin se lokali është mbyllur përkohësisht ndërsa në cilësinë e të dyshuarit tashmë është intervistuar pronari i lokalit i cili edhe është arrestuar.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se pronari i lokalit “Apetit” është Kujtim Shala i cili tashmë gjendet në mbajtje.
“Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, deklarojnë nga Policia.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar lokalin “Apetit” por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është lajmëruar askush, kurse numri personal i telefonit të pronarit ka rezultuar të jetë pa qasje në rrjet.
Ndryshe, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Afrim Krasniqi, ka bërë të ditur se në mesin e të helmuarve, një 6-vjeçar është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Deri tani në këto momente kur po flasim, janë evidentuar 61 raste të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Gjendja për momentin më e rëndë është e një fëmijë të moshës gjashtëvjeçare. Komplikimet e tij janë për momentin dridhjet, ethe, temperaturë dhe ka një çrregullim të sistemit nervor”, është shprehur ai për Klanin.