Kapja e grupit kriminal në Prishtinë, kërkohet paraburgim për pesë të arrestuarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë anëtarëve të grupit kriminal që u arrestuan  gjatë aksionit të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet bëjnë me dije se Prokuroria kërkon paraburgim për pesë të arrestuarit që dyshohet se janë marrë me veprimtari të kundërligjshme për falsifikimin e dokumenteve.

Ndryshe, në njoftimin e lëshuar dje për këtë operacion thuhet se të dyshuarit kanë qenë objekt i hetimeve intensive që janë kryer nga Policia dhe Prokuroria, nën dyshimin se në mënyrë të organizuar si grup kriminal kanë kryer vepra penale si: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Kontrabandimi me migrantë”.

K. K.                        viti i lindjes 1965          m/kosovar
G. T.                        viti i lindjes 1969      m/shqiptar/Shqipëri
E. A.                      viti i lindjes 1970          m/kosovar
H. H.                      viti i lindjes 1978          m/kosovar
E. R.                       viti i lindjes 1992          m/kosovar

Gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, janë gjetur pajisje për prodhimin e dokumenteve të udhëtimit për në shtete të ndryshme të cilat janë sekuestruar në cilësi të provave materiale:

(21) pasaporta të shteteve të ndryshme evropiane,
(5) leje qëndrimi, letërnjoftime dhe patentë shoferë të shteteve të ndryshme,
Pajisje dhe materiale te ndryshme elektronike që dyshohen për prodhimin e dokumenteve,
(4) telefona mobilë,
(1860) euro
(48700) lekë
(10) funta
(395) lira turke
(1) veturë me targa të Kosovës
(1) veturë me targa të Shqipërisë
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, si dhe për të njëjtit është ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë trafiku tek zona Industriale në Suharekë, Policia në vendin e ngjarjes