Xhelozia mollë sherri mes çiftit në Llap, burri shkon i dehur në shtëpi dhe rrah gruan në prezencë të fëmijëve

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të tilla, raporton Gazeta Sinjali.

Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në Podujevë, ku një burrë dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht bashkëshorten e tij.

39-vjeçarja ka paraqitur rastin në Polici, ku ka pohuar se i shoqi ishte kthyer pas mesnate në shtëpi në gjendje të dehur dhe i njëjti më pas e ka sulmuar fizikisht në prezencën e tre fëmijëve të tyre të mitur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku ka deklaruar se ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshorten e tij për shkaqe xhelozie, mirëpo ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj saj.

Me urdhër të prokurorit, 43-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Futbollist i Trepçës ’89 dhe i Kosovës: Ky ishte ylli mitrovicas, Erion Kajtazi që synonte futbollin evropian