Gliha shpjegon rastin me Zhegrovën në Rumani

Selektori i Kosovës, Primozh Gliha ka shpjeguar situatën me Edon Zhegrovën që kishte ndodhur gjatë ndeshjes me Rumaninë. Pas ndeshjes, kishin dalë xhirime ku shihej Gliha duke tërhequr Zhegrovën për fanelle dhe duke i bërtitur.

E gjithë kjo situatë kishte ndodhur gjatë ndërprerjes që ndodhi në duelin e luajtur në Bukuresht, ku ultrasit rumun kishin shpalosur mesazhin “Kosova është Serbi”.

Gliha ka thënë se gjatë kohës sa lojtarët ishin në fushë dhe nuk dihej nëse do të vazhdonte ndeshje, është munduar të qetësojë futbollistë e tij. Ai ka thënë se e kishte tërhequr Zhegrovën për ta motivuar dhe mos lejuar që të shpërqëndrohet apo të ndëshkohet me karton.

“Me Rumaninë ka qenë një situatë speciale, ku të gjithë ishin të drejtuar kah gjyqtari dhe delegati pas asaj që ndodhi. Nuk ishte aspak ndeshje e lehtë në aspektin emocional, nëntë kartonë të verdhë dhe një të kuq. Unë kam qëndruar aty për t’i qetësuar lojtarët që mos të marrin ndonjë karton tjetër. E kam tërhequr Zhegrovën dhe i kam thënë se aty është porta ku duhet t’i shënosh tri gola dhe kjo është ajo që ka ndodhur”, ka zbuluar Gliha.

Lexo edhe:  Gjakovë: Gruaja e mori pensionin e burrit edhe pas vdekjes, arrestohet nga policia