Aksion kundër fajdesë në Prishtinë, arrestohen dy persona
Dy persona të dyshuar për fajde dhe detyrim janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, në një aksion të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.
Njësitet policore kanë kryer bastisje në dy lokacione.
“Në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe me urdhëresë të gjykatës janë kryer bastisje në dy lokacione dhe janë sekuestruar: një revole, një veturë, tre telefona 915 € si dhe shënime dhe evidenca që dyshohet se ndërlidhen me veprën penale”, ka thënë Policia e Kosovës.
Policia ka thënë se “dy të dyshuar meshkuj kosovarë janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën e lartë cekur”.
Të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.