Si ‘u lanë’ kriminelët serbë të hyjnë në Kosovë, Hoxha: Kufiri ka 380 km, ne s’mund ta kontrollojmë të gjithin

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se situata e sigurisë në veri të Kosovës është më e qetë, dhe se policia vazhdimisht po merret me hetimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, të dielën.

Ai ka deklaruar se ka disa prova që e lidhin Rusinë me Serbinë në këtë sulm, ku një prej më të rejave është se disa motora dhe armë të konfiskuara nga policia janë të prodhimit rus, shkruan Reporteri.net.

“Aktualisht jemi duke punu në disa drejtime. E para, ta analizojmë armatimin, pastaj lidhjet e grupit terrorist kriminal në mes vete dhe planifikimet se si ka ndodh”.

“Operacionet e këtij niveli nuk mund të kryhen pa një mbështetje të fortë logjistike dhe politike të organeve të sigurisë. Shenjat e Z-së janë parë në veriun e Kosovës, parullat që janë shkruar nga Brigada e Veriut e Mbrojtja Civile, dhe ka pasur mbështetje të vazhdueshme prej grupeve të cilat luftojnë në Ukrainë, persona edhe nga Serbia. Disa prej armëve dhe pajisjeve të konfiskuara janë të prodhimit rus. Motorrat katër rrotësh të konfiskuar nga Policia e Kosovës atë ditë janë të prodhimit rus dhe duket se janë dhënë për ushtrinë dhe policinë e Serbisë nga Rusia”, tha Hoxha për REL.

Kur u pyet pse u lejua depërtimi i kriminelëve nga Serbia në Kosovë, Hoxha tha se është e pamundur të kontrollohet i gjithë kufiri 380 kilometërsh i me Serbinë. Ai tregoi se serbët vazhdimisht po hapin rrugë ilegale në kufi me Kosovën.

“Kufijtë e Kosovës me Serbinë përshkojnë një vijë kufitare 380 km. Është e pamundur që gjithçka që lëviz në kufi të monitorohet sepse terreni është i vështirë dhe janë shumë rrugë ilegale që janë hapur dhe hapen vazhdimisht afër kufirit me Kosovën. Kemi pa edhe makineri, eskavatorë, mjete të rënda. Përmes një marrëveshje që KFOR-i ka Policia e Kosovës nuk lejohet t’i afrohet vijës kufitare më afër sesa 1000 metra”.

Lexo edhe:  Ngjarje e rëndë: Gjendet pa shenja jete dhe me rroba të djegura një burrë në Viti

“Është futë përmes një rruge ilegale, grupe grupe të caktume, pastaj janë afru deri te fshati Banjskë. Kjo është ajo çfarë ka ndodh në këtë rast”, ka deklaruar ai.