Publikohet momenti i plotë kur sulmuesi terrorist del nga vetura dhe shpërthen bombën në Turqi

Turqia u trondit nga sulm terrorist mëngjesin e kësaj të diele në Ankara, ku një kamikaz hodhi veten në erë dhe një tjetër u neutralizua nga forcat e sigurisë teksa mësynë godinën e Ministrisë së Brendshme turke.

Pas publikimit të pamjeve të para nga ky sulm, tashmë janë publikuar edhe pamjet të reja, ku siç shihet makina e dy terroristëve u ndal jashtë Ministrisë së Brendshme pak sekonda para shpërthimit shumë të fuqishëm që ndodhi.

Më pas, njëri nga dy sulmuesit shihet duke ecur me shpejtësi drejt portës së ministrisë dhe plas bombën, ndërsa i dyti shkon në pjesën e pasme të automjetit dhe qëllon me një armë antitank të tipit LAV.

Media turke SABAH raporton se dy terroristët kanë vjedhur automjetin që përdorën për sulmin në fshatin Çataloluk të provincës Kayseri, nga veterineri Mikail Bozlağan.

Sipas kronologjisë së ngjarjes dy terroristët i kanë bllokuar rrugën veterinerit, e kanë vrarë duke e qëlluar me armë në kokë dhe më pas e kanë tërhequr zvarrë për ta hedhur në një kanal.

Kryeplaku i fshatit Çataloluk, İsmail Yıldırım deklaroi se incidenti ndodhi rreth orës 20:30 të mbrëmjes së të shtunës.

“Terroristët ndaluan automjetin e veterinerit Mikail Bozlağan në afërsi të fshatit Avlağa. Ata e vranë Mikailin dhe i vodhën automjetin e tij, duke e lënë të vdekur në një kanal në anë të rrugës. Babai e gjeti trupin e djalit të tij duke ndjekur gjurmët e gjakut në rrugë”, tha ai.

Ne kërkuam automjetin e Mikailit në pyll, por nuk e gjetëm. Terroristët erdhën në këmbë nga zona e pyllit. Nga kamerat e fshatit tonë u pa se automjeti i Mikailit hynte por nuk dilte. Terroristët dolën jashtë rrugës për të mos u kapur nga kamerat. Fshati ynë është një zonë e pyllëzuar dhe malor në fund të maleve të Demit”, shtoi ai.

Lexo edhe:  Ky është 41-vjeçari i cili u godit për vdekje në Pejë nga një veturë që iku prej vendit të ngjarjes

Ndërkohë, si pasojë e sulmit ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë Ercan Karabaş, që ka marrë plumba në të dyja këmbët dhe kolegu i tij Halim Reis si pasojë e goditjes së predhave në gjoks dhe këmbën e djathtë.

Sulmi ndodhi në ditën kur do të niste punimet Parlamenti turk, që do të hapte vitin e ri legjislativ pas një pauze prej dy muaj e gjysmë.